|
TIRANË- Instituti i Sigurimeve Shoqërore miratoi rregulloren e re për skemën e sigurimeve vullnetare. Të gjithë personat që janë të interesuar të lidhin një marrëveshje me ISSH-në për të paguar kontributet e prapambetura nga vitet e kaluara, sigurimin për më shumë të ardhura, sigurimin e vitit aktual apo për degë të tjera sigurimi, duhet t'i nënshtrohen një rregulloreje të re. Kështu, sasia e kontributit që paguan personi i cili lidh një marrëveshje me Institutin e Sigurimeve Shoqërore është e njëjtë me atë të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave për degën e pensioneve. Ndërsa, për referencë do të merret masa që është në fuqi ditën kur lidhet marrëveshja dhe lidhet kontrata midis personit të interesuar dhe agjentit të ISSH-së. Me qëllim nxitjen e interesit të qytetarëve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka aplikuar një lloj bonusi për ata që janë të prirur për të parapaguar kontributet për periudhat e ardhshme duke u bërë zbritje me disa për qind nga masa që duhet të paguanin realisht. Skema e parapagimit të kontributeve shoqërore për muajt e ardhshëm
bazohet në një marrëveshje midis personit të interesuar dhe ISSH-së, e cila mund të jetë, një mujore, tre mujore, gjashtë mujore ose një vjeçare. Për parapagesat e kontributeve për periudhat tre mujore aplikohet një zbritje sa 1.5 për qind e shumës totale që personi ka për të paguar. Për parapagesat që bëhen për një periudhe gjashtë mujore aplikohet zbritje me tre për qind të shumës totale, ndërsa nëse dikush vendos të parapaguajë kontributet për një periudhe 12 mujore përfiton gjashtë për qind zbritje nga shuma totale që duhej të paguante. Krahas përfitimit në momentin e pagesës nga ulja që aplikohet, nëse një person vendos që të parapaguajë kontributet shoqërore është i mbrojtur edhe nga lëvizjet e mundshme që Këshilli i Ministrave mund të bëjë në lidhje me masën e kontributeve shoqërore. Sipas kësaj rregulloreje, asnjë ndryshim i masës së kontributit gjatë vitit kalendarik nuk vepron mbi personat që kanë lidhur marrëveshje me ISSH-në për t'i parapaguar ato. Krahas pagesës së kontributeve për vitin aktual, të cilin mund ta bëjnë individët që për arsye të ndryshme janë shkëputur nga skema e sigurimeve shoqerore të detyrueshme, një person mund të paguajë kontribute vullnetare edhe për qëllime të tjera. Skema lejon që të paguhen edhe kontribute për më shumë të ardhura, të cilin mund ta bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit në shtet, punëdhënësit privatë, etj., por me kushtin që pagesa të bëhet vetëm për vitin aktual. Duke marrë pjesë në këtë skemë, personat në fjalë kanë të drejtë që të përfitojnë deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit apo atij familjar. Sigurisht që në skemën e kontributeve vullnetare do të ishte edhe ajo e pagesave për periudhat e kaluara. Në këtë rast, masa që dikush duhet të paguajë do të llogaritet në mënyrë që t'i korrespondojë nivelit të pagës së vitit që po mbulohet me sigurim. Në skemë mund të marrin pjesë qytetarë që janë të interesuar për mbuluar me sigurim edhe degë të tjera që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm, siç janë ato për sëmundjet profesionale, papunësi, aksidente, etj. Pagesa e kontributeve për këtë skemë bëhet çdo tre muaj dhe vetëm për vitin aktual. Në funksion të kësaj skeme, por edhe të shërbimeve të tjera, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka kompani bashkëpunëtore jashtë vendit, në të cilat mund të drejtohen personat e interesuar. Gjatë muajve të fundit, ISSH-ja ka nënshkruar disa marrëveshje me kompani të ndryshme jashtë vendit për t'i bërë të mundur emigrantëve që të marrin shërbimin e duhur edhe në shtetet ku jetojnë. Masa e zbritjes nëse parapaguhet 3 muaj -1.5 % të shumës totale 6 muaj - 3 % të shumës totale 12 muaj -6 % të shumës totale Fushat e kontributeve vullnetare -Sigurim vullnetar për vitin aktual Mund ta bëjnë ata individë që nuk janë në skemën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore. Nëse ata i rikthehen asaj (duke u punësuar) sigurimi vullnetar ndërpritet. -Pagim të kontributeve të viteve të shkuara Mund ta bëjnë ata që janë shkëputur nga puna dhe duan të përfitojnë pensionin në masën e duhur, masa që duhet paguar llogaritet në mënyrë që t'i korrespondojë nivelit të pagës së vitit që mbulohet me sigurim. -Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura Mund ta bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit në shtet, punëdhënësit privatë, etj. Sipas kësaj skeme, këta të fundit kanë të drejtë që të përfitojnë deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit apo atij familjar. -Sigurim Vullnetar për degë të tjera sigurimi Mund të marrin pjesë qytetarë që janë të interesuar për të mbuluar me sigurim edhe degë të tjera që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm, siç janë ato për sëmundjet profesionale, papunësi, aksidente, etj.
Marre nga shekulli.com.al |